
Një person i cili fshehu në trup 38 000 dollarë amerikanë, është vënë në ndaluar nga policia kufitare në Kapshticë.
Uniformat blu në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, në afërsi të Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, kanë ndaluar për kontroll automjetin me drejtues shtetasin Gj. F.
Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjetën të fshehura në trup 38 000 dollarë amerikanë të padeklaruara.
Më tej, gjatë kontrollit në banesë, iu gjetën edhe 35 000 euro. Shumat monetare u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve, për shtetasin Gj. F., 67 vjeç, banues në Korçë, u referuan materialet në Prokurori për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Lidhur me këtë rast materialet i kaluan Prokurorisë Korçë, për veprime të mëtejshme.



