
Kantieri i punimeve për ndërtimin e Piramidës, është inspektuar sot nga kryeministri Edi Rama, kryetari i Bordit Drejtues të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), Michael Granoff dhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Rama vlerësoi se Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim është një partner në realizimin e këtij projekti strategjik për rininë, ekonominë, zhvillimin teknologjik të vendit dhe se Piramida e re e Tiranës se kjo e fundit do të jetë gati në tetor të vitit 2022.
“Duke ndjekur vijimin e punës për qendrën e inovacionit e teknologjisë digjitale më të madhe në rajon që do të jetë gati tetorin e ardhshëm”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se po mendojmë mënyrën më të mirë për të optimizuar të gjithë hapësirën e Piramidës, ndërsa theksoi se njëra prej godinave të jashtme në ambientet e Piramidës do të përdoret nga Ministria e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët dhe tjetra dhe Agjencia Kombëtare e Informacionit.
Nga ana e tij, kryetari i Bordit Drejtues të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), Michael Granoff kërkoi që të ruhen standardet në ndërtim.
Ndërkohë, kryebashkiaku Veliaj informoi mbi ecurinë e punimeve në këtë kantier të rëndësishëm të kryeqytetit, për te cilën tha se deri më tani 30 % e punës është bërë.
Projekti për rijetësimin e piramidës dhe shndërrimin në një qendër inovacioni e teknologjie për të rinjtë është një projekt arkitektonik i studios së famshme holandeze MVRDV, që do krijojë kushtet optimale për qendrën më të madhe digjitale në rajon.
Piramida e transformuar, e cila do të jetë gati tetorin e ardhshëm me mbështetjen e Fondit të Zhvillimit Shqiptaro-Amerikan, do të mirëpresë mijëra të rinj për të mësuar gjuhën e kodimit, robotikë, design dhe programim.



