
Ministri i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë, Blendi Çuçi, i ka dërguar një letër Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë (ILD) dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), për gjyqtarin e Gjykatës Administrative, Elidon Papazisi.
Sipas Çuçit, ai me vendimet e tij, po bëhet shkak për pengimin e aksionit të IKMT-së, për prishjen e ndërtimeve të paligjshme.
Në letrën e Ministrit thuhet se gjatë ditëve të fundit është evidentuar emri i gjyqtarit, i cili kanë dhënë vendime që në analizën dhe vlerësimin e strukturave te Ministrisë së Brendshme janë në kundërshtim me parimet e drejtësisë.
Ministri, në letër, u ka kërkuar autoriteteve të gjyqësorit të marrin në shqyrtim dhe inspektojnë bazueshmërinë në ligj të vendimeve të gjyqtarit.
“Ministria e Brendshme dhe strukturat e saj të varësisë janë të vendosura për të vënë para përgjegjësisë çdo shkelës të ligjit, për të ndërtuar një Shqipëri me territor dhe mjedis më të mbrojtur dhe më të sigurt për të gjithë”, finalizohet letra e Çuçit.



