Ish-efektivi i Policisë Ludjan Zaimi, i cili vrau me armë zjarri kolegun e tij Çaush Saliasi në Komisariatin Nr.3, rrezikon burgim të përjetshëm.
Pasi ekspertiza mjeko ligjore e nxori të aftë mendërisht dhe Gjykata e Tiranës refuzoi kërkesën e tij për gjykim të shkurtuar.
Gjykata e konsideroi të drejtë kualifikimin nga Prokuroria të veprës penale “vrasje me dashje ndaj punonjësit të Policisë së Shtetit, gjatë detyrës ose për shkak të saj”.
MCN TV ka siguruar dosjen hetimore ku përmendet një prej kolegëve të Zaimit, ku dyshohet se ky i fundit e kishte planifikuar vrasjen.
Kjo pasi ai kishte lënë të ndezur automjetin e tij fare pranë portës së Komisariatit të Policisë Nr3 në Tiranë, me qëllim që të largohej pas kryerjes së aktit.
Të njëjtat dyshime konfirmohen edhe nga të dhënat e ruajtura në telefonin celular në përdorim nga autori, i cili i ka dërguar mesazhe të dyshimta të afërmve të tij pak minuta para ngjarjes.



