
Dy persona janë arrestuar nga policia lidhur me ngjarjen e një dite më parë ku në një minierë në Bulqizë, humbi jetën një person.
Arrestimet ndodhën lidhur me ngjarjen e djeshme, të ndodhur në një subjekt minerar në zonën D, Bulqizë, ku humbi jetën shtetasi K. D., 38 vjeç, dyshohet se, si pasojë e shembjes së një masivi shkëmbor gjatë punës në galeri.
Efektivët e policisë arrestuan në flagrancë G. K., 47 vjeç, me detyrë brigadier dhe B. C., 62 vjeç, me detyrë teknik, të dy banues në Bulqizë.
Gjithashtu, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin R. P., 67 vjeç, banues në Peshkopi, me detyrë drejtues teknik në subjektin minerar.
Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se këta shtetas, me veprimet ose mosveprimet e tyre, nuk kanë marrë masat e duhura për garantimin e kushteve të sigurimit teknik të punës në subjektin minerar.



