
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga Serbia që t’i hapë arkivat ushtarake për të lehtësuar kërkimin e personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Kurti ka reaguar lidhur me 10-vjetorin e klasifikimit 30 vjeçar të arkivës së Brigadës së 37-të të motorizuar të Ushtrisë Jugosllave nga Serbia, përgjegjëse për krime lufte në Kosovë në vitin 1998-1999.
Kurti ka shkruar sot në rrjete sociale se trashëgimtarët e ish-udhëheqësit fashist të Serbisë, Sllobodan Millosheviç, dikur bashkëpunëtorë dhe sot politikanë në krye të shtetit serb, refuzojnë të hapin arkivat për të zbuluar vendndodhjet e varrezave masive në Serbi, ku dyshohet se janë fshehur trupat e qindra-mijëra civilëve shqiptarë të Kosovës.
“Gjatë luftës 1998-99 në Kosovë, strategjia e shtetit serb ishte fshehja e krimit nëpërmjet të fshehjes së kufomave. Kjo strategji është ende aktive”, ka potencuar kreu i ekzekutivit kosovar, derisa ka shtuar se vendimi i Qeverisë së Serbisë për të shpallur “sekret shtetëror” veprimtarinë e Brigadës së 37-të të ushtrisë jugosllave pengon zbardhjen e së vërtetës së këtyre vrasjeve.
10 vjetori i klasifikimit 30 vjeçar të arkivës së Brigadës së 37-të të motorizuar të Ushtrisë Jugosllave.
Gjatë luftës 1998-99 në Kosovë, strategjia e shtetit serb ishte fshehja e krimit nëpërmjet të fshehjes së kufomave. Kjo strategji është ende aktive. Trashëgimtarët e Millosheviqit në Beograd, dikur bashkëpunëtorë dhe sot politikanë në krye të shtetit serb, refuzojnë të hapin arkivat për të zbuluar vendndodhjet e varrezave masive.
Para 10 vitesh, Ministria e Mbrojtjes së Serbisë shpalli sekret shtetëror dokumentet mbi veprimtarinë në Kosovë të Brigadës së Motorizuar të 37-të të Ushtrisë Jugosllave. Ky vendim i marrë më 31 korrik 2014, pengon zbardhjen e së vërtetës së dhimbshme lidhur me vrasjet e civilëve shqiptarë dhe fshehjen e trupave të tyre në varreza masive në Serbi.
Në bazë të marrëveshjes së arritur më 2 maj të vitit të kaluar në Bruksel, ne përsërisim kërkesën për hapjen e arkivave në Serbi. Tashmë kemi dërguar disa kërkesa lidhur me hapjen e arkivës së Brigadës 37-të të Motorizuar të UJ, përgjegjëse për shumë masakra në rajonin e Drenicës.
Vendimi i shtetit serb për të klasifikuar këto dokumente si sekrete për 30 vite është përpjekje për të fshehur krimet e kryera. Është edhe një tregues i qartë se Serbia, përderisa qëndron mbi varret e civilëve shqiptarëve të vrarë, nuk ka treguar asnjë shenjë pendese për mizoritë e kryera në Kosovë.
Ky akt përbën një shkelje të të drejtave të njeriut, të drejtës së familjeve për të ditur të vërtetën dhe pamundëson përpjekjet për të sjellë drejtësi. Duke mbajtur të fshehta këto dokumente, Serbia nuk po distancohet nga regjimi i Milloshevicit dhe krimet e tij gjenocidale në Kosovë.
Vetëm përmes ndriçimit të së vërtetës dhe mbajtjes përgjegjës të autorëve të krimeve mund të arrihet drejtësia dhe paqja e qëndrueshme në rajon.
Serbia në shtator të vitit të kaluar u zotua për hapjen e arkivave shtetërore për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë nga lufta e fundit në Kosovë, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), por ende nuk është treguar e gatshme për të dhënë informacione për varrezat masive të shqiptarëve.



