Strukturat e Policisë Rrugore u kanë hequr lejen e drejtimit 14 personave gjatë orëve të natës në autostradën Tiranë-Durrës, pasi u kapën me shkelje të rëndë të rregullores së Kodit Rrugor.
Gjatë monitorimi të mjeteve, Policia tha se shumë drejtues kanë tejkaluar çdo limit shpejtësie duke vënë në rrezik jo vetëm jetën e tyre, por edhe të përdoruesve të tjerë të këtij aksi rrugor, i cili lidh dy qytetet më të mëdha në Shqipëri.
Policia bën me dije se “gjatë 250 minutave kontroll në të dyja kahet e lëvizjes, janë evidentuar shumë drejtues mjetesh që shpejtonin për të fituar vetëm disa minuta më shumë, duke qarkulluar gati me dyfishin e shpejtësisë së lejuar, pa marrë në konsideratë prezencën e lagështirës dhe errësirën në rrugë”.
Shkelësit e rregullave të qarkullimit janë përballur me sanksione dhe me penalitete të forta. Sipas Policisë, pas kontrolleve në autostradë janë konstatuar shkelje të rënda tek 14 drejtues mjetesh, të cilët po udhëtonin me shpejtësi nga 148-171 km/h.
Për shkak të kësaj situate, strukturat policore kanë ndërhyrë menjëherë duke bërë tërheqjen e 14 patentave, të cilat më pas i kanë dërguar në Organin Administrativ Shtetëror për gjykim.



