
Sot bëhen 1 vit nga trazirat në Zveçan, ku trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, kishin ndërhyrë për të shpërndarë protestuesit e dhunshëm serbë, të tubuar para ndërtesës së Komunës së Zveçanit për të kundërshtuar punën e kryetarit shqiptar, Ilir Peci.

Një vit më parë, paqeruajtësit e misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO u sulmuan gjatë protestave të dhunshme në komunën e Zveçanit.
93 efektivë u plagosën, disa prej të cilëve me lëndime të rënda. Këto sulme ishin të paprovokuara dhe ishin krejtësisht të papranueshme, kujton KFOR-i në një deklaratë për media.
“Sot, ne nderojmë shërbimet dhe sakrificat e bashkëluftëtarëve tanë, të cilët i vunë jetët e tyte në rrezik për t’i kryer detyrat e tyre për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, në përputhje me mandatin e gjatë të misionit tonë në OKB. Guximi i tyre ndihmoi në stabilizimin e situatës në zonë dhe parandalimin e një përshkallëzimi të mëtejshëm të dhunës”, tha gjeneralmajor Özkan Ulutaş, komandant i KFOR-it.
NATO thotë se faktet duhet të vërtetohen dhe autorët duhet të mbahen përgjegjës.
Pas dhunës, KFOR-i kujton se NATO ka dislokuar rreth 1000 paqeruajtës shtesë dhe forca të blinduara më të rënda në Kosovë dhe se kjo tregon se është e gatshme ta ruajë paqen.
Ne kemi rritur qëndrimin e KFOR-it në veri të Kosovës dhe kemi trefishuar numrin e patrullave, duke përfshirë edhe përgjatë vijës kufitare administrative. Ky ka qenë përforcimi më i madh i kontingjentit tonë në Kosovë në një dekadë; dhe kjo tregon se NATO është e gatshme ta ruajë paqen.
Angazhimi ynë për të kontribuar për sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe për stabilitetin rajonal është i palëkundur. KFOR-i vazhdon t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për ta ruajtur një mjedis të sigurt, në përputhje me mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.
Protestat në veri erdhën pasi kryetarët shqiptarë morën detyrat dhe dolën në objektet komunale për të filluar punën e tyre.
KFOR-i, më 29 maj, fillimisht kishte paralajmëruar protestuesit të largohen ndërsa ata nuk ishin bindur.
Huliganët serbë kishin hedhur gur e koktej molotovi në drejtim të KFOR-it. Atë ditë u hodhën edhe shok-bomba e gaz lotsjellës.
Si pasojë e dhunës, një ushtari hungarez i ishte amputuar këmba pas lëndimeve që kishte marrë në përleshjet me protestuesit serbë në Veri të Kosovës.
Përveç ushtarakut hungarez, edhe 30 ushtarë të KFOR-it kishin pësuar lëndime nga më të ndryshmet.



