
Policia e Lezhës ka arrestuar gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm dy persona, pasi dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri në ajër. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Gajush, ndërsa të rinjve u është sekuestruar një automatik, një pistoletë dhe fitil zjarrpërcjellës.
“Shërbimet e DVP Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Lezhë, pas njoftimit të marrë se në fshatin Gajush, Lezhë, kishte të shtëna me armë zjarri, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Falë veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore u bë i mundur identifikimi në kohë reale i 2 shtetasve që kishin qëlluar me armë zjarri në ajër”, njoftoi policia.
Ndërkohë, në pranga janë vënë shtetasit R. H., 19 vjeç dhe S. H., 28 vjeç, banues në Milot, Kurbin. Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit R. H. dhe ambientit përreth saj, gjetën dhe sekuestruan armën e zjarrit kallashnikov me të cilën dyshohet se këta shtetas kanë qëlluar në ajër, të cilën ky shtetas e kishte fshehur në një depozitë uji në banesën e tij.
Operacioni ka vijuar me kontrollin e banesës së shtetasit S. H., ku gjatë kontrollit shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë me një krehër dhe fitil zjarrpërcjellës.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.
Ndërkohë, ndryshe nga çfarë raporton policia, burimet bëjnë të ditur se shtetasit Redion Hysa dhe Sokol Hysa, banues në Milot, Kurbin, në aksin rrugor Lezhë-Milot, përballё një karburanti në fshatin Gajush, kanë qëlluar me armë zjarri, automatik, në drejtim të automjetit tip “Man”, me targa AA 324 YY, në pronësi tё shoqërisё “Lajthiza”. Ky mjet, momentin e ngjarjes drejtohej nga shtetasi Gjok Malaj, banues në Shënkoll, Lezhë.
Nga të shtënat është dëmtuar goma e parë e automjetit. Ndërsa në vendin e ngjarjes u gjetёn dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 28 (njëzet e tetë) gëzhoja model 56.
Nga shërbimet e policisë, në ndjekje e sipër është kapur shtetasi Sokol Hysa tek banesa e shtetasit Redion Hysa dhe gjatë kontrollit të baneses së shtetasit Redion Hysa në cilësinë e provës materiale u gjeten dhe sekuestruan një armë zjarri automatik me nr. 014188-85, model 56, kalibër 7.62 mm dhe një armë zjarri tip pistoletë, TT me nr. II A 2057-1952, me një krёhёr, pa fishekë, model 54, kalibër 7.62 mm.



