
Rrugët që përshkojnë qarkun e Lezhës janë përfshirë nga një fluks i lartë automjetesh në këtë fundjavë të parë të muajit shtator.
Largimi i pushuesve nga bregdeti i Shëngjinit, Tales dhe Velipojës po shoqërohet me trafik të rënduar dhe kaos në lëvizje.
Situata më problematike paraqitet në rrugën që lidh Shëngjinin me superstradën, si dhe në aksin Lezhë–Milot, ku prej disa orësh janë krijuar radhë kilometrike automjetesh.
Policia Rrugore është vendosur në disa pika kyçe për të menaxhuar trafikun dhe për të krijuar sadopak lehtësi në lëvizje.
Fundjava me mot të kthjellët dhe temperatura të larta solli një fluks të madh vizitorësh në zonat bregdetare, çka ka ndikuar në rëndimin e qarkullimit në rrugët nacionale.



