
Mbledhja e deputetëve në Kuvendin e Kosovës ka zgjatur vetëm dy minuta. Kjo ka rezultuar në një tjetër dështim për konstituimin e Kuvendit. Edhe sot, deputetët nuk arritën të votojnë për formimin e komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Ky është dështimi i 37-të për të arritur konstituimin e legjislaturës së nëntë. Për komisionin, kanë votuar vetëm 52 deputetë.
Ndërkohë, organizatat e shoqërisë civile zhvilluan një aksion simbolik përpara hyrjes së Kuvendit të Kosovës, në shenjë proteste ndaj moskonstituimit të legjislaturës së re.
Të pajisur me pankarta me mesazhe të drejtpërdrejta si “Kur t’ju bëhet boll, kallxoni”, “Deputetë, emri juaj është bllokadë” e “Karriget janë për punë, jo për pushtet”, “A doni me shku edhe në deti”, “Shteti në pauzë”, përfaqësuesit e shoqërisë civile kërkuan t’i japin fund krizës institucionale dhe theksuan përgjegjësinë e deputetëve për të përmbushur mandatin e tyre.
Vendi është në ngërç politik, gjersa partitë politike nuk po bien në ujdi për kreun e Kuvendit të Kosovës.
Rregullorja e punës obligon deputetët të mblidhen çdo dy ditë për seancën konstituive, e cila konsiderohet e mbyllur pas zgjedhjes së kryesisë.
Si rrjedhojë, Kuvendi po mban mbledhje çdo dy ditë tash e më shumë se 70 ditë.
Seanca e ardhshme do të mbahet të premten me fillim prej orës 11:00.



