
Dy persona janë vënë në prangat e policisë së Lezhës dhe një tjetër është shpallur në kërkim pasi mashtronin shtetas të ndryshëm, nëpërmjet një aplikacioni, duke komunikuar me ta, në emër të përfaqësuesve të institucioneve vendore.
Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, pas kallëzimit nga një shtetas, se i kishin marrë një shumë parash me anë të mashtrimit nëpërmjet një aplikacioni, kanë nisur hetimet me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e këtij rasti dhe për identifikimin e shtetasve të përfshirë.

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Imposter”, u ndaluan shtetasit Shkëlqim Domi, 35 vjeç dhe Saimir Sallaku, 37 vjeç, të dy banues në Shijak.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi Shefik Kurti, 63 vjeç, banues në Itali.
Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasit Shkëlqim Domi dhe Saimir Sallaku, në bashkëpunim me shtetasin Shefik Kurti, më datë 14 korrik, kanë përfituar 15 000 euro, nga administratori i një operatori ekonomik, duke komunikuar me të në aplikacionin “Signal”, në emër të përfaqësuesve të institucioneve vendore.
Më datë 17 korrik, ata kanë tentuar të përfitojnë një tjetër shumë të madhe parash, nga ky shtetas, me anë të së njëjtës skemë.
Në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Tiranë, vijojnë hetimet për zbardhjen e një rasti të ndodhur një Tiranë, ku këta shtetas kanë tentuar të përfitojnë 20 000 euro, nga një shtetas, me anë të kësaj skeme mashtrimi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprën penale “Mashtrimi” me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim.



