Një seancë gjyqësore është zhvilluar në Gjykatën e Tiranës, ku në fokus të këtij gjykimi ishin sulmet e frikshme nga qentë shtëpiakë, apo jo vetëm. “Braktisja e kafshës së shoqërimit”, ishte vepra për të cilën është gjykuar dhe dënuar një muaj më oarë shtetasi N. S., nga Berzhita, Tiranë. Në vendimin e gjykatës të siguruar nga “TvT”, thuhet se i pandehuri u gjet fajtor në këtë akuzë dhe se është dënuar me 1 muaj burg, por që e konvertuar më pas me 2 muaj Shërbim Prove. Kjo pasi, i pandehuri kishte kërkuar më herët gjykim të shkurtuar, si dhe ishte penduar që e kishte lënë qenin e tij në gjendje të lirë. “Jam i penduar.Kërkoj mëshirë. Nuk kam mundëesi që të paguaj gjobë pasi jam në gjendje ekonomike rëndë”, është shprehur shtetasi N.S. Edhe fqinji i tij, i cili në këtë gjykim ishte palë e dëmtuar, ka thënë që i pandehuri të falej për këtë ngjarje.
Por si ndodhi ngjarja që përfundoi në dyert e Gjykatës. Më datë 05.01.2020, rreth orës 06 e 30, shtetasi D. S., banor i fshatit Mihajas, pjesë e Njësise Administrative Bërzhitë, të qarkut Tiranë, ka dalë nga banesa e tij, për të filluar punët e ditës. Gjatë kohës që ka qenë duke kaluar në rrugët e fshatit, është sulmuar nga tri qenë të medhenj. Njëri prej tyre i madh dhe i zi, që njihej prej tij dhe ishte në pronesi të të pandehurit N. S., edhe ky banor i të njëjtit fshat, e ka kafshuar dy herë në këmbë.
Qente e tjere, nuk e kanë bërë një gjë të tillë edhe pse kanë qenë agresivë e pranë tij. Pas ngjarjes në fjalë, ai ka shkuar dhe është ankuar tek kryeplaku i fshatit dhe pas kësaj, ka shkuar në spital, për të marrë ndihmën e nevojshme mjeksore. Për agresivitetin e qenit në fjalë, por edhe të tjereve, ai më herët ka vënë në dijeni pronarët e tyre, që i ka komshi, por edhe kryeplakun e fshatit, sepse sulme të tillë prej tyre ka patur edhe më parë.
Nëpërmjet konkluzioneve të aktit të mjekësisë ligjore Nr.41 të datës 07.01.2020, është provuar se, shtetasi D. S., ka pësuar dëmtime në pjesën e pasme të kofshës së djathtë dhe të gjurit të djathtë, dëmtime të shkaktuar, me mjet të mprehtë, siç janë edhe dhëmbët e qenit, e kjo ka ndodhur brenda një harku kohor prej tre ditesh, nga momenti i vizitës të dëmtuarit. Dëmtimet i kanë sjellë këtij të fundit humbje të përkohshme të aftesise për punë në masën deri në nëntë ditë.



