Një efektiv i policisë është ekzekutuar me armë zjarri mesditën e sotme në fshatin Baltëz të Fierit.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:15, në fshatin Baltëz, ku dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, shtetasi Asllan Mernica ka vrarë me armë zjarri shtetasin Novruz Cenalia rreth 28 vjeç, punonjës policie i Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Fier, jashtë shërbimi, por i veshur me uniformën e policisë, pasi shkonte për të marrë shërbimin.
Më vendngjarje janë nisur shërbimet e Policisë, Forca Kombëtare e Sigurisë, Reparti Special “RENEA”, të cilat kanë rrethuar zonën dhe vijojnë punën për kapjen e autorit.
Dyshohet se ngjarja është bërë për motive hakmarrje, pasi nëntë vite më parë babai i viktimës ka qenë i përfshirë në një ngjarje të rëndë, ndërsa si viktima dhe i dyshuari janë nga Hasi.
Grupi hetimor dhe drejtues të Departamentit të Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë, po punojnë për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje.



