Një video që qarkullon në rrjetet sociale tregon pamjet e një ndërhyrjeje delikate, në shkelje të protokolleve spitalore.
Pamjet që pretendohet se janë marrë në Spitalin Ushtarak tregojnë një pacient nën efektin e narkozës, të cilit i hiqet një unazë në organin gjenital.
Krahas mjekëve, protagonist i ndërhyrjes shfaqet një individ që mban në dorë një pajisje për prerjen e metaleve.
Në sallë krahas stafit mjekësor ka edhe persona të tjerë, ndërsa dyert janë të hapura, në kundërshtim me praktikën e zakonshme të ndërhyrjeve në raste emergjente, por edhe me etikën mjekësore.
Përtej zellit të autorit të videos për të “dokumentuar” me pamje një rast të tillë të pazakontë, në të cilin pacienti është në gjendje të pavetëdijshme, ajo që të bën përshtypje është neglizhenca e stafit mjekësor që e ka kthyer këtë ndërhyrje të sikletshme në një shou për të tretë, e më tej, përmes rrjeteve sociale për të gjithë audiencën online.



