Seanca ndaj Erion Veliaj dhe 18 persona të tjerë të pandehur u mbajt këtë të martë në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndërkohë që kryebashkiaku nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit.
Gjatë seancës, përfaqësues të mediave kërkuan lejimin e transmetimit live me kamera, por kërkesa u rrëzua nga trupa gjykuese.
Sipas gjykatës, prania e kamerave mund të ndikojë në proces, duke qenë se në vijim pritet dëgjimi i dëshmitarëve.
Nga ana tjetër, SPAK kërkoi pezullimin e afateve të paraburgimit, duke argumentuar se shtyrjet e procesit janë shkaktuar nga avokatët mbrojtës.
Kjo kërkesë u kundërshtua nga mbrojtja e Veliajt, e cila deklaroi se klienti i tyre nuk ka përgjegjësi për shtyrjen e seancës dhe se nuk ekziston bazë ligjore për pezullimin e afateve të paraburgimit.
Në përfundim, GJKKO vendosi ndërprerjen e seancës dhe caktoi zhvillimin e radhës më 10 qershor, në orën 11:30.
Gjykata vendosi gjithashtu pezullimin e afateve të paraburgimit për Veliajn.



