
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka ndarë sot përfaqësuesit të familjes Jashari, Rifat Jasharit “Urdhrin e Lirisë”.
Këtë dekoratë Osmani ia ndau gjatë vizitës që pati në shtëpinë e Jasharajve me rastin e 25 vjetorit të Epopesë së UÇK-së.
Osmani ka thënë se këto data janë mundësi e mirë që çdo qytetar të tregojë përkujtimin e tij për gratë dhe fëmijët e familjes Jashari.
Kryeministri Albin Kurti, e quajti Prekazin kryeqytet i kryengritjes shqiptare, ndërsa familja Jashari, tha se kujtohet me mall dhe me krenari.
Para 25 vjetëve, 3 breza të Jasharajve luftuan 3 ditë rresht me mijëra forca policore të Serbisë që e kishin rrethuar kullën e Jasharajve, në mënyrë të shumëfishtë. Ranë gjithsej 59 veta.
Ne kthehemi e rikthehemi në kryeqytetin e kryengritjes shqiptare për ta kujtuar e përkujtuar epopenë e UÇK-së, që i dha hov dhe mundësoi çlirimin dhe lirinë e vendit tonë.
Kryeparlamentari, Glauk Konjufca ka thënë se rrënjët e vërteta të UÇK-së janë në luftën heroike e të lavdishme të Jasharajve.
Në 25-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, dëshmorëve të kombit, si dhe të gjithë të rënëve për liri, më 5, 6 dhe 7 mars është organizuar manifestimin gjithë popullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Manifestimi vazhdon në ditën e dytë të saj.



