
15 ekspertë nga Rumania po inspektojnë sot nga afër pallatet e dëmtuara nga tërmeti në Kavajë dhe Durrës.
Së bashku me ekspertët janë të pranishëm edhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deputeti i PS-së dhe njëkohësisht kryetari i Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, Arben Ahmetaj dhe Ambasadori i Rumanisë në Tiranë, Mircea Perpelea.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Balla tha për mediet se “në përfundim të inspektimit do të ketë një raport ekspertësh për secilën ndërtesë dhe ky raport do ti jepet më pas shtabit qendror për menaxhimin e krizës pas tërmetit dhe ne fund do të jetë raporti i fundit ai që do të vendosë për vlerësimin e godinës. Raporti përbëhet nga 5 identifikime pra dëmtime të rënda të pariparueshme deri tek dëmtime të lehta që mund të riparohen”.
Ambasadori rumun Perpelea theksoi se “jemi këtu bashkë me 15 ekspertë rumunë. Rumania është pranë Shqipërisë dhe këtë po e demonstrojmë me fakte. Ky është gjest tjetër i solidaritetit tonë siç e kemi treguar edhe në fazën e parë dhe do të jemi pranë jush në çdo moment”.
Duke shprehur ngushëllimet për ata që kanë humbur të afërmit e tyre ambasadori theksoi se “do të jemi pranë në të gjitha hapat e rindërtimit të Shqipërisë”.
Kryetari i Komitetit Kombëtar të Rindërtimit Ahmetaj tha se ”Ka edhe një element të rëndësishëm psikologjik këtu prezenca e ekspertëve për të rikthyer qetësinë tek banorët, të cilët pas rezultatit të ekspertimit që morën janë më të qetë. Faza e parë, e pas emergjencës po menaxhohet me kujdes nga ministri Çuçi dhe shtabi i tij dua te them që faza e tij do të ketë të bëjë me trajtimin e qytetarëve që nuk kthehen dot në shtëpitë e tyre me bonus strehimi afatgjatë deri kur të kthehen në shtëpitë që do të bëhen nga shteti dhe qeveria, apo në shtëpi të tjera që mund të dhurohen nga fondacione të ndryshme”.
“Faza e tretë është ajo e rindërtimit, pra programi i rindërtimit që Kryeministri Rama shpalli në parlament ditën e enjte, ditën e kalimit të buxhetit të vitit 2020. Në atë program në fillesat e veta janë vënë në dispozicion 200 milionë dollarë që do të shkojnë për rindërtimin e të gjithë atyre banesave që kanë mundësi të rikuperohen, por mbi të gjitha do të shkojnë në ndërtimin e qytezave urbane në Tiranë, Krujë dhe Thumanë. Në Tiranë do të jetë Kombinati dhe ish -autotraktorët, ndoshta edhe bregu i Lumit po diskutohet, në Durrës janë të vënë në dispozicion dy vende të rëndësishme për të ndërtuar qytezat edhe infrastruktura shoqëruese shkollat e kopshtet janë pjesë e rindërtimit”.
Sipas tij, komponentët e rindërtimit janë emergjenca, hapat e e para të rialokimit të qytetarëve dhe pastrimi i gjithë asaj memorie traumatike të tërmetit dhe faza e tretë rindërtimi dhe zhvillimi.



