Gjashtë persona janë vënë në prangat e policisë së Durrësit të dyshuar për shpërndarje droge në doza dhe vjedhje.
Policia njofton se dy nga të arrestuarit ishin në kërkim për këto veprimtari kriminale, ndërsa në momentin e kapjes tre prej tyre iu gjetën doza kokaine dhe kanabisi.
Bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, policia e Durrësit ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Cleaning 2”.
Në kuadër të këtij operacioni, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:
-Fabion Masha, 27 vjeç, banues në Shijak, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Durrësit i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”;
-Ahmet Isufi, 34 vjeç, banues në Shijak, i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim;
-Lulzim Rubjeka, 46 vjeç, banues në Shijak, Alin Gjuzi, 38 vjeç, banues në Durrës, Sentiljano Selami, 21 vjeç, banues në Manzë dhe Fation Xhezairi, 40 vjeç, banues në Durrës;
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. Sh., 36 vjeç, banues në Kavajë, dhe u shpall në kërkim një shtetas 17 vjeç, banues në Durrës.
Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasit Fabion Masha dhe Ahmet Isufi, në bashkëpunim me shtetasit Lulzim Rubjeka, Alin Gjuzi dhe 17-vjeçarin, në datat 15 dhe 18 shkurt, kanë vjedhur çadra plazhi dhe shezlongë në një lokal në Sektor Rinia, dhe më pas i kanë shitur në dyqanin e shtetasit E. Sh., në Kavajë.
Shtetasit Fabion Masha, gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në banesë, i janë gjetur dhe sekuestruar 46 gramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa, disa doza të kësaj lënde dhe 1 peshore elektronike.
Shtetasit Sentiljano Selami gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis sativa, që e posedonte me qëllim shitjen në afërsi të shkollave, ndërsa shtetasit Fation Xhezairi iu gjetën doza kokaine dhe kanabisi që i posedonte me qëllim shitjen në lagjet e Durrësit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan:
60 gramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa dhe doza të kësaj lënde, doza kokaine, 1 peshore elektronike, 6 celularë dhe 94 shezglonë të vjedhur.



