
Aleanca për Teatrin ka depozituar një tjetër padi në Prokurorinë e Posaçme (SPAK).
Bëhet fjalë për çështjen për Teatrin, ku avokatja Adriana Kalaja, ka kërkuar të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e punimeve.
AMT ka paditur kryeministrin Edi Rama, zëvendësin e tij Erion Braçe dhe kërkon nga SPAK që të vendosë sekuestro preventive mbi tokën për të respektuar vendimin e marrë nga Gjykata Kushtetuese.
“Jemi në momentin që pronat, sipas vendimit, duhet kthyer në gjendjen e datës 7 maj 2020. Ne kemi argumentuar para SPAK se jo vetëm që ka shkelje të rënda të Kushtetutës, siç janë ato të shpërdorimit të detyrës, korrupsionit pasiv të zyrtarëve të larta, ajo e pengimit të zbatimit të një vendimi gjykate. Është e vërtetuar kallëzimi ynë i bërë me kohë, që në maj të 2020 që disponimi i truallit të teatrit përbën vepër penale.
Ne kemi kërkuar sekuestron preventime për truallin. VKM e re bazohet në transferimin e truallit. Akuzat tona në lidhje që ka, që nga ligji special dhe VKM që u cilësuan si anti-kushtetues. Po të shohim VKM e re, nuk ka të artikuluar fjalën Teatri Kombëtar, është sjellje tendecioze, jo vetëm anti-kombëtare, sepse duan të fshijnë historinë. Kjo VKM i hap rrugë, qartazi ndërtimit të kullave në teatër. E konsiderojmë emergjencë, pas 8 kërkesave për vendosjen e sekuestros. Nuk kemi përgjigje, shohim indiferencë te SPAK-u. Ne shohim si një rreshtim të dukshëm të SPAK në krah të këtyre zyrtarëve që kanë shkelur ligjin. Me të gjitha mënyrat do të vendosim drejtësinë për Teatrin Kombëtar. Ato do të ndërtohen sërish, sepse kjo është kërkesa.”, tha Kalaja në një deklaratë për mediat.
Sipas saj nuk ka pasur asnjë reagim nga SPAK-u në lidhje me një takim që Aleanca ka kërkuar për të marrë informacion të detajuar se ku ndodhet procedura për hetimin e dosjes së Teatrit.
“Presim, sepse fakti që vijmë dhe trokasim në këto dyer, tregon që kemi besim që çëshjtja do të zgjidhet. Reforma në drejtësi po dështon, duke qenë se Gjykata Kushtetuese s’ka fuqi ndaj një vendimi të dhënë,”, tha Kalaja.
Më herët Aleanca për Teatrin ka dorëzuar pranë SPAK-ut një kallëzim penal kundër ministres së Kulturës, Elva Margariti, për shpërdorim detyre.
Ditë më parë, trualli i Teatrit Kombëtar i kaloi Bashkisë së Tiranës, me një vendim të Këshillit të Ministrave ditën e djeshme, me firmë të zv.kryeministrit Erion Braçe, ndërsa propozimi është bërë nga Ministria e Kulturës.



