Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 në Tiranë kanë arrestuar një 38-vjeçar që qarkullonte me armë zjarri dhe municion luftarak në automjetin e tij, gjatë një operacioni të koduar “Armed”.
Në kuadër të këtij operacioni, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, u bë ndalimi i automjetit tip “BMW” në Rrugën e Arbërit.
Gjatë kontrollit, në mjetin që drejtohej nga shtetasi B. B., 38 vjeç, banues në Burrel, u gjet një armë zjarri automatik dhe municion luftarak.
Arma dhe municioni u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin.
B. B. u arrestua për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.



