Policia e Shkodrës njofton se ka finalizuar fazën e nëntë të megaoperacionit të koduar “Qarku”, duke zbuluar një magazinë të përshtatur për kultivim të bimëve narkotike, me anë të llambave.
Në kuadër të operacionit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Altin Palushi, 35 vjeç, banues në fshatin Beltojë, Shkodër.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga policia, në fshatin Beltojë, u zbulua një magazinë e përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, me anë të llambave.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 35 llamba dhe pajisje të tjera elektrike që përdoren për këtë aktivitet kriminal.
Po në vijim të operacionit, në banesën e këtij shtetasi u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 armë zjarri me silenciatorë, kallashnikov dhe pistoletë, municion luftarak, një sasi farash kanabisi dhe një sasi vlerash monetare.
Një ditë më parë u finalizua faza e 8-të e këtij megaoperacioni, si rezultat i së cilës u sekestruan 2 armë zjarri, 2 radio policie, 3 mina me telekomandë, një bllokues valësh, 1.6 kg eksploziv C4, 2 armë gjahu, 1 armë sportive e municion luftarak. 2 shtetas u vunë në pranga, 1 u shpall në kërkim, ndërsa 2 të tjerë po procedohen penalisht.



