Një anëtar i forcave komando plagosi me armë 2 persona mbrëmjen e së hënës, pas një sherri të nisur disa ditë më parë. 34 vjeçari është arrestuar nga policia, ndërsa kjo nuk është hera e parë kur pjesëtarë të Forcave të Armatosura përfshihen në ngjarje kriminale.
Në sherr i nisur disa ditë më parë përfundoi në përdorimin e armës në fshatin Zall-Herr.
Pjesëtari i forcave komando Klodian Beshiri plagosi me një pistoletë pa leje në këmbë Rexhep Qefalinë si dhe goditi me qytën e armës në kokë Redi Myrton.
34-vjeçari, pjesëtar i forcave speciale të ushtrisë u arrestua pak minuta pas ngjarjes nga efektivët e komisariatit nr. 5, ndërsa në deklarimet e para është shprehur se ka vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes.
Sipas burimeve nga policia, të plagosurit i kishin zënë pritë komandos me sende të forta në duar për shkak të një konflikti të nisur për motive banale disa ditë më parë.
Hetuesit besojnë se komando ka vepruar instinktivisht për të neutralizuar personat që i kishin zënë pritë, nisur edhe nga eksperienca prej 4 misionesh ku kishte qenë aktiv jashtë vendit.
Kjo nuk është hera e parë ku pjesëtarë të forcave të armatosura të ushtrisë përfshihen në ngjarje kriminale. Në kërkim për ngjarjen e tetorit të 2018-s në zonën e ish-Bllokut me 1 të vrarë dhe 2 të plagosur vijon të jetë komando Mevjol Bilo.



