Gjykata për Krime të Luftës në Bosnjë e Hercegovinë ka dënuar sot me dhjetë vjet burgim ish-komandantin e boshnjakëve myslimanë, Sakib Mahmuljin, për dështimin që t’i parandalonte apo që t’i ndëshkonte krimet kundër të burgosurve serbë nga luftëtarët e huaj islamikë, të cilët kishin marrë pjesë në konfliktin e viteve të nëntëdhjeta.
Qindra luftëtarë islamikë, të njohur si muxhahedinë, kishin ardhur nga Afrika Veriore dhe Lindja e Mesme për t’i ndihmuar forcat qeveritare boshnjake, kryesisht myslimane, që të luftojnë kundër separatistëve ortodoksë serbë dhe katolikëve kroatë gjatë luftës në të cilën u vranë rreth 100.000 persona.
Ish-komandanti 68 vjeç u shpall fajtor pas një procesi gjyqësor që zgjati pesë vjet. Ai u dënua për mosparandalimin dhe mosndëshkimin e vrasjeve dhe trajtimit çnjerëzor të të burgosurve serbë të luftës, disa prej të cilëve ishin civilë, të plagosur ose të sëmurë, thuhet në vendimin e gjykatës.
Në dokumentin e gjykatës thuhet se luftëtarët e huaj islamikë i kanë vrarë 53 të burgosur serbë të luftës nga korriku deri në tetor të vitit 1995. Gjykata tha se gjatë kësaj periudhe, luftëtarët e huaj i kanë torturuar të burgosurit dhe njërit prej tyre ia kanë hequr kokën, shkruan Reuters.
Gjykata për Krime të Luftës në Bosnjë u themelua në vitin 2005 për t’ia lehtësuar punën Tribunalit për Krime Lufte në Hagë për shkak të numrit të madh të rasteve që ishin në pritje për gjykim.



