Tre persona janë vënë në pranga nga policia e Fierit, pasi ushtronin aktivitet të këmbimit valutor në mënyrë të paligjshme.
Aksioni u zhvillua në kuadër të operacionit të koduar “Transaksioni”, i organizuar nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Fier, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale.
Në pranga ranë Ramazan Koçiu, 64 vjeç, banues në Lushnjë, Edmond Shkurti, 67 vjeç dhe Abaz Idrizi, 57 vjeç, të dy banues në Fier.
Sipas policisë, ata u kapën në flagrancë duke ushtruar aktivitet të këmbimit valutor pa licencë, në kundërshtim me ligjin.
Gjatë kontrollit, uniformat blu sekuestruan shuma të konsiderueshme parash në valuta të ndryshme, përfshirë 4 200 000 lekë, 17 300 euro, 1 400 paund, 300 dollarë, 200 franga dhe, 2 500 korona.
Operacioni vjen në vijim të kontrolleve në terren dhe verifikimeve në subjekte të ndryshme, me qëllim evidentimin dhe goditjen e veprimtarive që kryhen në informalitet.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.



