
Protestuesit kanë zbritur në shesh për të 133-tën ditë radhazi, duke vijuar qëndresën e tyre për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit të tij qeveritar.
Gjatë tubimit të zhvilluar në sheshin përpara Kryeministrisë, pjesëmarrësit hodhën akuza të forta ndaj klasës politike, duke e bërë atë përgjegjëse për keqqeverisjen dhe shpopullimin masiv të Shqipërisë.
Organizatorët dhe protestuesit përsëritën pikat e tyre kryesore, duke deklaruar vendosmërinë për të mos u larguar nga sheshi deri në plotësimin e plotë të kërkesave.
Gjatë fjalimeve, një nga organizatorët përshëndeti publikisht vendimin e gjykatës, e cila la të lirë protestuesit e ndaluar disa ditë më parë, pasi qëlluan me vezë drejt automjetit të kryeministrit Edi Rama.
Pas përfundimit të fjalimeve, të pranishmit nisën marshimin e tyre të zakonshëm përgjatë rrugëve kryesore të kryeqytetit.
Nën thirrjet patriotike dhe duke mbajtur në duar flamuj kuqezi, protestuesit iu bënë thirrje qytetarëve dhe kalimtarëve që t'i bashkohen kauzës së tyre, duke theksuar se bashkimi është e vetmja rrugë për të sjellë ndryshimin në vend.



