
Një operacion i policisë së Shkodrës i koduar “Luarzë” ka zbuluar një parcelë të mbjellë me kanabis në Velipojë.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Velipojë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër, në vijim të kontrolleve të territorit, falë përdorimit të dronit, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, zbuluan një rast të kultivimit të bimëve narkotike në fshatin Luarzë, Velipojë.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë Blerim Hoxha, 24 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi R. B., 27 vjeç, të dy banues në Shkodër.
Shërbimet e policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Luarzë, kanë gjetur 560 bimë të dyshuara narkotike kanabis sativa, të cilat dyshohet se Hoxha i ka kultivuar në bashkëpunim me shtetasin R. B.
Aktualisht vijon puna për kapjen e shtetasit R. B. dhe dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Ndërkohë materialet iu referuan Prokurorisë Shkodër, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.



