
Policia e Kurbinit ka shpallur në kërkim dy persona, pasi dyshohen se kanë kanosur dhe qëlluar me armë në drejtim të banesës së një personi. Sipas informacioneve të policisë, ngjarja ka ndodhur pas një konflikti mes tyre për motive të dobëta, në lagjen “Demokracia” në Mamurras.
“Shtetasit P. N. dhe R. Gj., banues në Mamurras, kanë kanosur shtetasin Sh. N., duke qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së tij”, njofton policia.
Kjo e fundit ka shkuar në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Kanosën me armë zjarri, një shtetas, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, Policia e Kurbinit identifikon dhe shpall në kërkim 2 autorët e dyshuar.
Rreth orës 19:00, në lagjen "Demokracia", Mamurras, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, shtetasit P. N. dhe R. Gj., banues në Mamurras, kanë kanosur shtetasin Sh. N., duke qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së tij.
Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Policisë Kurbin kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje. Në mbështetje të tyre kanë shkuar edhe Forcat Operacionale të DVP Lezhë dhe FNSH Shkodër.
Janë ngritur pika kontrolli, si dhe vijon kontrolli i zonës, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet hetimore në vendin e ngjarjes, me qëllim zbardhjen e plotë dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.



