Policia e Tiranës ka bërë të ditur se ka vijuar hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar të vjedhjes së një sasie bizhuterish në një argjendari në Kamëz, më 5 gusht.
Policia ka identifikuar, kapur dhe arrestuar një prej autorëve të dyshuar, ndërsa gjatë hetimit janë sekuestruar një armë zjarri automatike, një motomjet, veshje, maska silikoni dhe një krehër me fishekë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5, pas disa javësh hetime intensive dhe procedurale, të kryera me metoda proaktive dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, finalizuan operacionin e koduar “Gold”.
Në kuadër të operacionit u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit A. K., 35 vjeç, banues në Laç.
Nga hetimet dyshohet se 35-vjeçari, në bashkëpunim me një person tjetër ende të paidentifikuar, më 5 gusht kanë vjedhur një sasi bizhuterish në një argjendari në Kamëz dhe më pas janë larguar me një motomjet.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe kontrolleve në terren, më 6 gusht, në një zonë të pyllëzuar të fshatit Zgafnur, u gjetën dhe u sekuestruan si prova materiale një armë zjarri automatike, një krehër me fishekë, një skafandër motoçiklete e lyer me ngjyrë gri, dy maska silikoni, një palë doreza, si dhe veshje të tjera që dyshohet se janë përdorur nga autorët gjatë kryerjes së veprës penale.
Ndërkohë, më 9 gusht, në vendin e quajtur “Liqeni i Qinamit”, në fshatin Qinam, u gjet dhe u sekuestrua një motomjet, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët gjatë kryerjes së veprës penale.
Policia bën me dije se vijon puna për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorit tjetër, si dhe për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprat penale “Vjedhja me dhunë e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, shpërthyeseve dhe municionit”.



