
Detaje të reja tronditëse kanë dalë nga ngjarja e ndodhur mesditën e së hënës në Belgjikë, ku një 33-vjeçare shqiptare u godit për vdekje nga një person i dyshuar me probleme të shëndetit mendor. Sipas raportimeve të bëra nga mediat belge, viktima është Xhuljeta Lala, ndërsa policia ka arrestuar të dyshuarin për këtë ngjarje, i cili ka pranuar krimin e rëndë. “Unë e vrava atë. E vrava se ma kërkoi djalli. Më arrestoni”, është shprehur 36-vjeçari nga Franca, i cili dyshohet se është edhe autori i krimit.
Autori i dyshuar mësohet se është arratisur nga një institucion psikiatrik në Marsejë dhe kishte shkuar në hotelin ku ishte 33-vjeçarja nga Divjaka, dhe e qëlloi atë me një bombol zjarrfikëseje. Xhuljeta Lala punonte në një hotel dhe ngjarja e rëndë ndodhi në vendin ku ajo punonte.

(Në foto: Vendi ku ndodhi ngjarja)
Autori i dyshuar ishte larguar që javën e shkuar dhe kishte qëndruar në hotelin ku punonte shqiptarja. Gjatë natës së kaluar mësohet se ka pasur kriza mendore dhe ka thënë se kishte dëgjuar djallin e më pas ishte nisur për të vrarë 33-vjeçaren. Vrasësi kishte ecur i zhveshur në korridor, kishte marrë një bombol që shërben për të fikur zjarrin dhe hyri në dhomën ku ishte Xhuljeta. Ai nisi ta qëllonte me bombol dhe shqiptarja ka ndërruar jetë në vend. Ka qenë një pjesëtar i stafit të hotelit që kishte parë i pari skenën e krimit e më pas kishte njoftuar policinë.
Ndërkohë vrasësi qëndronte i zhveshur në një dhomë tjetër duke pritur policinë ta arrestonte, duke kryqëzuar duart. Viktima, Xhuljeta Lala, kishte disa vite që jetonte e punonte në Belgjikë.



