Policia e Tiranës ka arrestuar pesë persona, të akuzuar për vepra të ndryshme penale. Sipas njoftimit të policisë, në pranga është vënë shtetasi me inicialet S. G., 21 vjeç, pasi në rrugën “Arben Broci”, nga kontrolli i ushtruar në mjetin me të cilin ky shtetas qarkullonte u gjet dhe u sekuestrua një sasi lëndë narkotike kanabis.
Po ashtu në pranga ra edhe D. Gj., 25 vjeç, pasi në rrugën “Kongresi i Lushnjes”, gjatë kontrollit fizik iu gjetën dhe iu sekuestruan doza me lëndë narkotike kokainë. Policia arrestoi edhe I.S., 38 vjeç, pasi me datë 19.11.2020, me anë të mashtrimit ka vjedhur motorin e shtetasit K.R. Gjithashtu ky shtetas ka kundërshtuar me dhunë punonjësin e policisë për të shmangur shoqërimin e tij në komisariat.
Listës së të arrestuarve iu shtuan edhe A.A., 36 vjeç dhe M.P., 54 vjeç, pasi u kapën në flagrancë duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.



