Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bllokuar disa kilogramë krem lajthie me kakao “Nudossi Haselnuss-Nougat-Crème”, të importuar nga subjekti “Lengo Group”, pas dyshimeve për kontaminim me salmonelë.
Sipas njoftimit zyrtar, Shqipëria është informuar nga sistemi RASFF (Rapid Alert System for Food and Feed) për një alarm lidhur me praninë e bakterit Salmonella spp në këtë produkt me origjinë nga Gjermania, i cili paraqet rrezik serioz për shëndetin e konsumatorëve.
Gjatë kontrolleve të kryera, AKU ka bllokuar:
15 copë (4.5 kg) “Nudossi Nugat Creme” me datë skadence 18.09.2026
46 copë (13.8 kg) “Nudossi Nugat Creme” me datë skadence 26.08.2026
Nga verifikimet rezulton se një pjesë e produktit, rreth 8.7 kg, është shitur tek konsumatorët fundorë. Subjekti ka njoftuar përkatësisht në ambientet e tregtimit për këtë situatë.
AKU u bën thirrje qytetarëve që, nëse e kanë blerë këtë produkt, të mos e konsumojnë dhe ta kthejnë në pikat e shitjes ku e kanë marrë.



