
Qyteti i Gjirokastrës është përfshirë nga mot i keq me reshje të dendura dhe intensive, të cilat po shkaktojnë probleme në disa zona të qarkut.
Korrespondentja e “MCN Live”, Jonida Qirko, raporton se disa lagje dhe fshatra kanë mbetur pa energji elektrike prej rreth 12 orësh, ndërsa dëmet në infrastrukturë po rriten teksa së fundi është shembur rruga në Lazarat.
Reshjet e fundit kanë sjellë daljen nga shtrati të përroit të Sopotit në Lazarat, duke krijuar vështirësi serioze lëvizjeje për banorët dhe duke shkaktuar shembjen e rrugës që të çon drejt zonës.
Prurjet e larta të ujit kanë vështirësuar kalimin edhe në segmentet pranë përroit të Bezos, ndërsa banorët janë këshilluar të shmangin lëvizjet e panevojshme.
Dalja e ujit ka shkaktuar gjithashtu bllokim në lagjen Lënxat.
Probleme të shumta janë raportuar edhe në qytetin e Gjirokastrës, ku prej mbrëmjes së djeshme një pjesë e zonave vijojnë të jenë pa energji elektrike, ndërsa ekipet e OSHEE po punojnë për rikthimin e furnizimit.
Situatë problematike paraqitet edhe në njësitë administrative të Lopësit, Kurveleshit në Tepelenë, Krahësit, Luftinjës e Qesaratit në Memaliaj, të Zagorisë, Picarit, Lazaratit, Dropullit e Lunxherisë në Gjirokastër, të cilët prej 12 orësh nuk kanë energji elektrike.
Grupet e OSHEE ndodhen në terren për të riparuar defektet që kanë shkaktuar shkarkesat atmosferike në sistemin e shpërndarjes.
Katër fshatra të Njësisë Administrative Ballaban në bashkinë Këlcyrë ndodhen të izoluara si pasojë e rënies se inerteve ne rrugën që lidh këto fshatra me aksin nacional.
Janë gati 500 banore te fshatrave Kajc, Pavar, Vinokash dhe Toshkëz që kërkojnë ndihme për hapjen e rrugës dhe deri tani askush nuk është përgjigjur.



