Policia e Lezhës ka njoftuar se ka arrestuar Kanto Narkaj pasi ky i fundit ka ushtruar dhunë ndaj ish-dhëndrit, duke e kërcënuar se do e vriste.
Policia ka reaguar menjëherë në vendin e ngjarjes duke parandaluar një ngjarje të rëndë kriminale, gjatë së cilës i janë sekuestruar edhe arsenal armësh (mitraloz, kallashnikovë) dhe municione luftarake.
NJOFTIMI I POLICISË:
Policia e Lezhës parandalon një ngjarje të mundshme kriminale në familje. Finalizohet operacioni policor “Parandalimi”. Ushtroi dhunë ndaj ish-dhëndrit, për motive të dobëta, dhe e kërcënoi së do ta vriste me armë zjarri, reagimi i menjëhershëm dhe profesional i Policisë bëri të mundur parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës.
Sekuestrohen arsenal armësh (mitraloz, kallashnikovë) dhe municione luftarake. Vihet në pranga poseduesi i tyre. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë kanë marrë njoftim për një konflikt midis shtetasit K. N. dhe ish-dhëndrit të tij, shtetasit E. Ç., në fshatin Balldre, Lezhë. Sipas informacioneve, shtetasi K. N. kishte dhe armë zjarri në banesë.Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në adresën e dhënë, ku falë ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale, kanë arritur të neutralizojnë dhe të vënë në pranga shtetasin K. N., duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit dhe ngjarjen e mundshme kriminale.
Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit K. N., ku kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 mitraloz, 2 kallashnikovë, një granatë dore me ndezës të montuar, 4 krehra dhe 3979 fishekë.Në përfundim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë u arrestua në flagrancë shtetasi K. N., 67 vjeç, banues në Balldre, Lezhë.Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Dhuna në familje”.



