Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, kanë siguruar informacion për një ambient ku dyshohej se mbaheshin armë zjarri dhe lëndë shpërthyese.
Gjatë kontrollit të territorit, në fshatin Zall, në zonën e Fushë-Krujë, pranë banesës së shtetasit Y. Z., u gjetën të fshehura në tokë dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
-24 kallëpë tritoli, 11 granata dore sulmuese, sasi lëndësh plasëse gati për shpërthim, të montuara me kapsolla detonatore, fitila zjarrpërcjellës, 5 ndezës granatash, 74 kapsolla detonatore, 19 mbështjellje sferike C4, 11 kallëpë dinamiti;
-27 djegore;
-3 armë zjarri, krehra dhe pjesë armësh;
-2 silenciatorë, 9000 fishekë të kalibrave të ndryshëm;
-6 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa;
-uniforma policie dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u shpall në kërkim shtetasi Y. Z., 49 vjeç, i cili nga hetimet e para dyshohet se është poseduesi i tyre.
Punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e këtij shtetasi.
Ndërkohë, në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifkimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.



