
Këtë të mërkurë, më 19 Korrik 2023, u shënua vrasja e radhës në Lezhë, e dyshuar për gjakmarrje mes fisit Nikulaj dhe Lekstakaj. Pikërisht, tre muaj pas ekzekutimit të Ardian Nikulaj në lokalin e tij në Shëngjin, në të njëjtën datë u ekzekutua një anëtar i fisit Lekstakaj. Ngjarja ndodhi rreth orës 18:30, jashtë një marketi në Balldre, nga ku 42-vjeçari sapo kishte dalë me një pije freskuese në dorë. Sipas dëshmive në vendngjarje, atentatorët dyshohet se e prisnin jashtë në parkim, brenda në makinë dhe në momentin që 42-vjeçari doli, qëlluan me breshëri plumbash. Më pas, ata dyshohet se janë larguar me shpejtësi në drejtim të Shkodrës. Burime nga policia, bëjnë të ditur se shkak për këtë vrasje dyshohet të jetë bërë hasmëria 26-vjeçare mes fisit Lekstakaj dhe Nikulaj. Një hasmëri e nisur për një borxh prej 5 mijë lekësh nga viktima e atentatit të sotëm, në një pikë karburanti. I vrarë për këtë ngjarje mbeti edhe biznesmeni Ardian Nikulaj. Ai u qëllua për vdekje në lokalin e tij në Shëngjin, 3 muaj më parë. Përpos gjithë historisë së gjatë mes këtyre dy fiseve, një detaj që duket se shton dyshimet se vrasja e Nikolin Lekstakajt ishte e planifikuar dhe në shenjë hakmarrje për vrasjen e Ardian Nikulajt, është edhe data 19, datë në të cilën është vrarë edhe biznesmeni Ardian Nikulaj, më 19 Prill. Nikolin Lekstakaj e kishte ndryshuar mbiemrin në Marku, në vitin 2013, ndërsa njihej edhe me nofkën “Toli”. Ai ishte banor i fshatit Balldre dhe jetonte rreth 1 kilometër nga vendi i ngjarjes.



