
Një 37-vjeçar është arrestuar nga Policia, pasi dyshohet se ushtronte veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit, kanë evidentuar një rast të ushtrimit të kësaj veprimtarie, nëpërmjet lotarive sportive”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas informacioneve zyrtare, shtetasi E. M., 37 vjeç, akuzohet për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.
Ky shtetas u kap në flagrancë duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit (lotarive sportive), me anë të celularit, në rrugën “Tom Plezha”, dhe gjatë kontrollit nuk i është bindur punonjësve të Policisë, për të treguar dokumentin e identifikimit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një aparat celular që dyshohet se përdorej për ushtrimin e aktivitetit të lojërave të fatit.



