Një tjetër sasi nafte 400 000 litra është sekuestruar në Durrës në sajë të operacionit “Ari i zi 2”, balestrat e së cilës ishin fshehur në anije me qëllim kontrabandimin, ndërsa 6 persona kanë përfunduar në pranga.
Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare i DVP Durrës, Antikontrabanda dhe Seksioni për Mbështetjen Operacionale të Hetimit të DVP Durrës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare e DPPSh-së, Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit Durrës, Guardia di Finanza Durrës, si dhe Dega e Doganës Durrës, finalizuan operacionin policor të koduar “Ari i zi 2”.
Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit sirianë Mohammed Sallit, 56 vjeç, kapiteni i anijes, Wissan Broud, 42 vjeç, ndihmës i oficerit të parë, Hassan Broud, 47 vjeç, shefi i inxhinierëve, Sami Shanta 25 vjeç, shefi i ofiçinës, Faez Ismaeil, 23 vjeç, mirëmbajtës i pompave të naftës, si dhe shtetasi shqiptar Nedio Mejdani, 34 vjeç, oficer i parë i anijes.
Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim organizatorët e dyshuar të këtij rasti, shtetasit J. K., 31 vjeç, banues në Tiranë, dhe S. S., 32 vjeç, banues në Durrës. Vijon intensivisht puna për lokalizimin dhe kapjen e tyre.
Më tej, gjatë këtij operacioni, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 5 pjesëtarë të tjerë të ekuipazhit të anijes, përgjegjës për mirëmbajtjen e mjetit.
Nga kontrolli në anije, në balastrat që shërbejnë për balancimin e mjetit, u gjetën 400 000 litra naftë e dyshuar e kontrabanduar nga Tunizia. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.



