
Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit ka zgjatur me një muaj hetimet për Enkelejda Hoxhën dhe bashkëpunëtorët e saj.
“Zgjatjen e afatit të hetimeve paraprake të procedimit penal nr.102/2 të vitit 2020 të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në ngarkim të shtetasve nën hetim ENkeleida Hoxha, Aldo Tabaku, Manuela Mallkuçi, Gazmir Nezaj, Gentjan Nezaj, Isuf Tanuzi, Bledar Petani, Sajmir Petani dhe Altin Skënderaj, për një periudhë një mujore, nga data 05.08.2021 deri në datë 05.09.2021”, thuhet në njoftim.
Bashkë me këta persona të tjerë, ata akuzohen se kishin ngritur një skemë përmes të cilës ulnin dënimet ose lironin nga burgu të dënuar për vepra të rënda penale kundrejt parave.
Përveç, gjyqtares, SPAK ka vendosur të zgjasë me 6 muaj hetimet për mjekun kardiolog të QSUT, Edvin Prifti, i cili akuzohet për korrupsion.
Gjyqtarja Enkelejda Hoxha së bashku me nëtë të tjerë janë arrestuar me urdhër të SPAK teksa ishin në seancën gjyqësore dhe bëheshin gati t’i jepnin lirinë Sajmir Petanit, i dënuar për vrasje.
Gjithashtu më herët gjyqtarja Hoxha është gjyqtarja e Krujës, e cila ka firmosur lirimin nga burgu të anëtarit të bandës së Durrësit, Endrit Dokle, i cili ishte dënuar me burgim të përjetshëm.
Po ashtu Hoxha ka liruar nga burgu Genc Tafilin, i dënuar për vrasjen e komisarit të Policisë Arben Zylyftari si dhe Ilir Pajës, të cilit i kishte mbetur mbi një vit dënim.



