Policia thotë se vijon operacioni për gjetjen e 42-vjeçarit, i cili u hodh në lumin Osum.
Ndërkohë bëhet e ditur se u shpëtua pas disa orësh 22-vjeçari që ishte bllokuar në Kanionet e Osumit, i cili ishte angazhuar vullnetarisht për gjetjen e trupit të të zhdukurit.
Sqarohet se gjatë operacionit për gjetjen e trupit të shtetasit I. K., 42 vjeç, i cili dyshohet se mund të jetë hedhur në Kanionet e lumit Osum, një kërkues vullnetar i angazhuar në ndihmë të autoriteteve u bllokua në zonën e kanioneve.
Rreth orës 17:00 të së shtunës, Xh. K., 22 vjeç, i cili ishte bashkuar në mënyrë vullnetare me grupin e kërkimit për gjetjen e 42-vjeçarit, mbeti i bllokuar pasi gomonia me të cilën po lëvizte u përmbys.
Menjëherë u organizua operacioni i shpëtimit, i koordinuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Berat, në bashkëpunim me forcat e RENEA, alpinistët e Federata e Kërkim Shpëtimit Malor të Shqipërisë, Forcat e Ushtrisë, shërbimin e Urgjencës së Spitalit Skrapar, si dhe me mbështetjen e komunitetit të Çorovodës.
Pas disa orësh ndërhyrjeje në një terren shumë të vështirë, në orën 04:45 të mëngjesit të sotëm, kërkuesi vullnetar u nxor nga shkëmbi ku kishte mbetur i izoluar dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore. Ndërkohë operacioni për gjetjen e 42-vjeçarit vijon.



