
Me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Avokati i Popullit në Shqipëri u bashkohet thirrjeve për të krijuar një mjedis të përshtatshëm për zhvillimin e një shtypi profesional, të pandikuar dhe cilësor në vend.
Punonjësit e industrisë së medies vazhdojnë të jenë sipas raporteve një shënjestër e lehtë e presioneve, intimidimeve, kërcënimeve, censurës dhe së fundi edhe e auto-censurës.
Raporti vjetor i Reporters Sans Frontieres vlerëson një përkeqësim në lirinë e shtypit shqiptar për vitin e fundit.
Avokati i Popullit solidarizohet me gazetaret e gazetarët dhe i nxit ata të forcojnë organizimet e tyre profesionale në mbrojtje të standardeve të punës dhe të drejtave të tyre.
Gjithashtu Avokati i Popullit nxit autoritetet shtetërore që pa u bërë ndërhyrës dhe përfitues prej aksesit të pamerituar në media, ta ndihmojnë shoqërinë shqiptare të përfitojë raportim cilësor, të paanshëm dhe profesional, pasi kjo është në dobi të shëndetit të demokracisë sonë.



