
Një person është vënë në prangat e policisë për shkak se akuzohet për transportim emigrantësh të paligjshëm kundrejt përfitimit.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, në bashkëpunim me shërbimet e “Frontex” dhe specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Korçë, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit P. L., 34 vjeç, banues në Fier.
I riu u kap nga forcat e Policisë, në aksin rrugor Bilisht-Korçë, në afërsi të fshatit Cangonj, Devoll, duke transportuar me një mjet furgon tip “Fiat” 17 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Lidhur me rastin, materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.



