Dy persona janë vënë në prangat e policisë në Kapshticë pasi tentuan që të trafikojnë 3 armë zjarri automatik, një pistoletë, krehra të armëve të zjarrit dhe një sasi municioni luftarak, nga Shqipëria në Greqi.
Si rezultat i intensifikimit të kontrolleve me përzgjedhje, me qëllim parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme dhe krimeve të tjera kufitare, nga shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë u parandalua dhe u godit një rast i tentativës për të trafikuar armë zjarri, nga Shqipëria drejt Greqisë.
Si rezultat i bashkëpunimit me specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Korçë, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
-Xhimi Hoxha, 41 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Moskallëzimi i krimit” dhe Miklovan Veliu, 40 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Në bazë të analizës së riskut shërbimet e Policisë Kufitare përzgjodhën për kontroll në vijë të dytë automjetin tip “Benz” me drejtues shtetasin Xh. H., dhe pasagjer 40-vjeçarin.
Gjatë kontrollit me skaner u krijuan dyshime se në sediljen e prapme të automjetit ishin fshehur sende të kundërligjshme dhe për këtë arsye efektivët e policisë ushtruan kontroll më të detajuar ku gjetën 3 armë zjarri automatik, 1 pistoletë, 5 krehra me fishekë dhe një sasi municioni luftarak, të cilat së bashku me automjetin u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.



