Ende pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, Këshilli i Lartë Gjyqësorë s’ka zgjidhur se kush do të mbrojë magjistratët. Në mbledhjen e qeverisjes së gjyqësorit është kërkuar prania e policisë, ndërtimi i godinave si dhe kontrolli i gjuhës së urrejtjes në media.
Në reagim ndaj ngjarjes së rëndë të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka zhvilluar më 10 tetor një mbledhje urgjente, ku u miratua një plan masash gjithëpërfshirës për përmirësimin e sigurisë në sistemin gjyqësor shqiptar.
Në deklaratën zyrtare, KLGJ thekson se masat synojnë jo vetëm rritjen e sigurisë për gjyqtarët dhe personelin gjyqësor, por edhe për të gjithë qytetarët që frekuentojnë institucionet e drejtësisë.
MASAT KRYESORE TË MIRATUARA:
Grumbullimi dhe analiza e të dhënave të sigurisë (2023–2025) – KLGJ do të mbledhë informacion të detajuar nga çdo gjykatë për masat e mëparshme të sigurisë dhe kërkesat e drejtuara Këshillit.
Verifikim i infrastrukturës aktuale – Do të bëhet një inspektim i plotë i sistemeve ekzistuese të sigurisë si skanerë, detektorë metalesh, kamera sigurie dhe trajnimi i personelit.
Grup ndërinstitucional për sigurinë – Do të ngrihet një grup pune me përfaqësues nga KLGJ, KLP, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit për të hartuar protokolle dhe masa të standardizuara sigurie.
Ndryshime ligjore të propozuara – Do të hartohen ndryshime në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe organizimin e pushtetit gjyqësor, me qëllim forcimin e mbrojtjes dhe kushteve të punës për magjistratët.
Ndërtimi i godinave të reja – KLGJ do të kërkojë mbështetje nga pushteti vendor për ndërtimin e 8 gjykatave të reja të shkallës së parë, si dhe për Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë.
Kërkesë për kalimin e pronësisë së godinave – Në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, do të kërkohet që godinat ekzistuese dhe ato që do të ndërtohen t’i kalojnë në pronësi Këshillit.
Masat kundër gjuhës së urrejtjes online – KLGJ do të bashkëpunojë me AKEP dhe AMA për të ndaluar gjuhën fyese ndaj gjyqtarëve në rrjetet sociale dhe media online.
Nderim për gjyqtarin Astrit Kalaja – Do të nisë procedura për emërtimin e sallës së amfiteatrit në godinën "Poli i Drejtësisë" me emrin “Astrit Kalaja” dhe do t’i propozohet institucioneve përkatëse dhënia e titullit "Dëshmor i Atdheut".



