Kronos/ Si pastrohen paratë në ndërtim? Skemat më të shpeshta!

Kronos/ Si pastrohen paratë në ndërtim? Skemat më të shpeshta!

Pastrimi i parave është procesi përmes të cilit tentohet fshehja e burimeve të jashtëligjshme të pasurisë dhe shndërrimi i tyre në asete legale. Pjesa më e madhe e legjislacionit në botë, duke përfshirë Shqipërinë, ndalon pasurimin nga aktivitetet kriminale, ndërsa shekullin e fundit rruga më efektive e autoriteteve për të kapur keqbërësit në fushën e narkotikëve, trafikut, korrupsionit, prostitucionit, vjedhjeve apo evazionit fiskal është gjurmimi i parasë që disponojnë këto grupe dhe individë. Shprehja “follow the money” nuk ka dalë nga asgjëja dhe shumë agjenci në botë e përdorin si metodë edhe për provimin e akuzave për aktivitete kriminale në fusha të tjera. “Në luftën kundër krimit ndjekja e parasë është gjëja më e thjeshtë sepse në fund të ditës nëse bën para përmes krimit dhe nuk e përdor dot nuk ka kuptim. Kriminelët bëjnë para për ta shijuar.” thotë analisti Neritan Sejamini. Mënyrat se si pastrohen paratë janë të shumta dhe skemat e pastrimit që shfaqen në Shqipëri variojnë nga më të vjetrat tek më të sofistikuarat. Nëse një sasi parash arrin që të pastrosh, pra t’a futësh në përdorim përmes sistemeve të ligjshme, rreziku për kapjen dhe sekuestrimin e tyre zhduket. Ndaj dhe grupet kriminale, bizneset dhe zyrtarët e korruptuar investohen në pastrimin e tyre dhe paguajnë shuma të konsiderueshme. Në këtë mënyrë ata blejnë qetësinë dhe sigurinë se paratë do të mbeten të tyre. Sektorët me riskun më të lartë të pastrimit të parave në Shqipëri janë ndërtimi, bankat, aktivitetet e bizneseve që punojnë me cash, lojërat e fatit, punësimi fiktiv në korporata dhe hapja e kompanive offshore. Pastrimi në sektorin e ndërtimit është më i përhapuri sot. Skemat janë të shumta, por sipas të dhëna që raporton Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave të Pista 3 janë tipologjitë të identifikuara më shpesh. “Duke hyrë një sasi e konsiderueshme parash jo formale në treg në këtë periudhë po prishin dhe stabilitetin që është krijuar dhe po krijojnë deformime sepse po rriten çmimet, çmimet nuk i rrit biznesi formal dhe ndikon te korrupsioni i cili ka rritur çmimin e tij dhe këtë mund ta ndiejmë te shërbimet që marrin. Kjo mund të futë ekonominë në kolaps, ndryshe nga kolapset që kanë patur në të shkuarën vendet Europiane duke kaluar në një moment që është ende koha për të reaguar.” thotë Eduart Gjokutaj nga Qendra Altax. “Në një biznes kur hyjnë të ardhurat hyjnë me faturë, dikush ka bërë dalje dhe bëhet hyrje e parave. Bizneset ku lejohet cash-i janë bizneset më të preferuara sepse e humbet direct gjurmën, thjesht deklaron se ke një aktivitet të jashtëzakonshëm.” thotë Sejamini. “Ka nevojë për një koalicion më të gjerë institucional, por që palët të ulen në tavolinë dhe të komunikojnë me njëri-tjetrin si partnerë. Ministria e Drejtësisë, DPPPP, Kadastra dhe noterët.” thotë Renaldo Pipiria nga Shoqata e Pasurive të Patundshme. Investimi në pasuri të paluajtshme duke përdorur shoqëritë e ndërtimit. Përmes kësaj forme paratë e grupeve kriminale i jepen një kompanie ndërtimi e cila krijon marrëveshje kleringu me investitorin duke i dhënë në kontratë një çmim të lirë në këmbim të sipërfaqes që ndërtohet. Në këtë mënyrë edhe pse vlera cash që merr është më e lartë, raportohet një shumë disa herë më e ulët dhe në momentin e dorëzimit të pallatit, porositësi mund të ketë pasuri në aparatmente që kushtojnë mbi 2 milion euro. Kjo situatë favorizohet nga diferenca e çmimeve fiskale të shitjeve dhe atyre të tregut por dhe te volumet e materialeve të ndërtimit që deklarohen në punime dhe atyre reale. Një tjetër tipologji është përdorimi i personave të tretë në fushën e ndërtimit. Raste që janë identifikuar nga agjencia e inteligjencës financiare është blerja e banesave nga persona të lidhur me grupe kriminale të cilët më pas shesin me vlera të larta apartamentet dhe transferojnë paratë përmes kontratave të huave me kompani të lidhura me personin që ka qëllim pastrimin e parave. Raste të dyshuara për pastrimin e parave janë edhe transaksionet në pasuri të patundshme nga persona të ekspozuar politikisht. Zyrtarët e lartë përdorin të afërmit e tyre që të japin përmes kontratave noteriale hua me shuma të vogla duke deklaruar çmim minimal blerje të apartamentit për personin që i kanë dhënë paratë borxh dhe duke shfrytëzuar pamundësinë e shlyerjes marrin banesën që është lënë garanci te kontrata. “Ti nuk e gjen dot momentin kur një zyrtar i korruptuar merr paranë cash, por kur zyrtari ble një shtëpi në mes të Tiranës është shumë e thjeshtë për ta identifikuar dhe për t’i kërkuar burimin” thotë Sejamini. “Duhet ta nisim nga gjërat e vogla, nga makina e shtrenjtë e atij që kalon në rrugë dhe jeta luksoze e një zyrtari. Ku e ke gjetur, a e ke deklaruar dhe a ke paguar taksa?” thotë Gjokutaj. Që skemat e pastrimit të parave të identifikohen, kërkohet bashkëpunim nga subjektet që kanë detyrimin për të raportuar rastet e dyshimta: bankat, noterët, kompanitë e ndërtimit, agjentët e pasurive të patundshme, zyrat e këmbimit valutor, shoqëritë e transferimit të parave dhe institucionet shtetërore doganat, tatimet dhe agjencia e kadastrës. Por po të shohim të dhënat e raportuara për vitin 2022 në raportin vjetor të drejtorisë kundër pastrimit të parave, rezulton se kompanitë e ndërtimit nuk kanë raportuar asnjë rast të dyshimit, agjentët imobliliarë vetëm 1, ndërsa rritje të numrit të raportimeve e kanë patur noterët me 734 raste, të ndjekur nga bankat me 660 raste, shoqëritë e transfertave me 293 dyshime ndërsa agjencia e kadastrës vetëm 22 raste dhe doganat me 25 raste dhe tatimet me vetëm 9 raste. “Deri në vitin 2021 nuk ka patur fare raportime nga sektori i agjentëve imobiliarë në DPPPP. Në vitin 2022 ka një raportim dhe ka arsye sepse deri vonë ky sektor nuk ka qenë i informuar dhe trajnuar për të kuptuar indikatorët që japin sinjale se po përdoren skema të tilla.” thotë Renaldo Pipiria. Dy nga sektorët që janë të lidhur direkt me pastrimin e parave shoqëritë e ndërtimit dhe agjentët e pasurive të patundshme kanë numrin më të ulët të raportimeve historikisht, shifra që numërohen me gishtat e duarve ndër vite. Në 5 vitet e fundit kompanitë e ndërtimit kanë raportuar vetëm 9 raste të dyshimta ndërsa agjentët 1 rast.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy