
Autoritetet islandeze kanë marrë të pandehur katër persona për ekzekutimin e shtetasit shqiptar Armando Beqiri. 33-vjeçari u vra në derën e shtëpisë së tij në Reykjavík të Islandës, më 13 Shkurt të këtij viti. Sipas mediave islandeze, kjo dosje kaloi mëngjesin e kësaj të marte në gjykatë.
Të akuzuarit janë 3 meshkuj të moshës 30-40 vjeç dhe një vajzë në të 20-at. Një prej të pandehurve është shqiptari Angjelin Sterkaj, i cili e ka pranuar vrasjen. Ai ka thënë para autoriteteve islandeze se ka vepruar i vetëm. Ndërsa 3 personat e tjerë i kanë mohuar akuzat. Krimi tronditi mbarë shoqërinë në Islandë, pasi kishte të gjitha karakteristikat e një ekzekutimi mafioz në një prej lagjet më të qeta të Reykjavík dhe nxiti debate për krimin dhe përplasjet për pushtet mes bandave që kontrollojnë drogën.
Nga hetimet e kryera, janë zbardhur edhe detajet se si u krye vrasja e 33-vjeçarit Armando Beqiri. Një prej të akuzuarve i tregoi 20-vjeçares dy makinat në pronësi të Armandos, dhe i kërkoi që të raportonte tek ai në Messenger për çdo lëvizje të mjeteve. Dhe ajo ashtu bëri. Dy persona të tjerë ndoqën një prej makinave në lagjen ku banonte shqiptari. Një prej tyre doli nga makina dhe u fsheh në garazhin e shtëpisë së Armandos dhe e qëlloi atë 9 herë, në momentin që mbërriti në shtëpi.
Vrasësi më pas u mor nga dy persona me makinë, të cilët udhëtuan drejt Islandës Veriore. Ata bënë një ndalesë pranë Reykjavík, ku hodhën armën e krimit në det. Angjelin Sterkaj ndodhet në burg, së bashku me një tjetër të akuzuar. Mediat islandeze sqarojnë se të tre meshkujt nën akuzë janë shqiptarë, ndërsa 20-vjeçarja është portugeze.



