
Sot në mbarë botën shënohet 5 qershori, Dita Botërore e Mjedisit.
Si ditë, ajo është caktuar 50 vjet më parë, në 5 qershor 1972, nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Ajo synon të rrisë vetëdijen e publikut rreth çështjeve të mjedisit, të tërheqë vëmendjen e politikëbërësve ndaj këtyre çështjeve, si dhe të nxisë veprimin individual në këtë drejtim.
Kjo ditë zakonisht përcjell një tematikë të caktuar. “Ne kemi vetëm një tokë, le të kujdesemi për të”, është tema e këtij viti, dhe në fokus ka: “Jeto në mënyrë të qëndrueshme në harmoni me natyrën’’.
Në Ditën Botërore të Mjedisit marrin pjesë OJQ-të, qeveritë, komunitetet, individët, bamirësit, organizatat, duke rritur së bashku ndërgjegjësimin për çështjet mjedisore.
Instituti i Shëndetit Publik, në njoftimin e saj sot, thotë se vendi ynë ka hedhur një hap konkret në drejtim të mbrojtjes së mjedisit, nismën e heqjes nga përdorimi të qeseve plastike.
Vendi ynë hedh një hap konkret në drejtim të mbrojtjes së mjedisit.
Nga data 1 qershor 2022 nis një epokë e re për Shqipërinë: ndalimi i qeseve plastike njëpërdorimshme, për një mjedis sa më të pastër, për mbrojtjen e planetit Tokë dhe për një jetë më të shëndetshme për të gjithë ne.
Ne kemi vetëm një tokë, le të kujdesemi për të.
Dita Botërore e Mjedisit sot organizohet nëpërmjet aktiviteteve të tilla si: fushata, koncerte, konventa dhe parada, mbjellje pemësh dhe ligjërata.



