
Teksa temperaturat e larta janë gjithnjë ne tendencë rritjeje, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi përmes një video të Institutit të Gjeoshkencave dhe Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, u bën thirrje qytetarëve të bëjnë kujdes nga temperaturat e larta, pasi mund të shkaktojnë probleme serioze shëndetësore. “Instituti i Gjeoshkencave dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak parashikon që vendi do të përfshihet nga një mot me temperatura tejet të larta. Për këtë Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bën thirrje për të gjithë qytetarët, veçanërisht për moshën e tretë e fëmijët, të ruhen duke respektuar këshillat e nevojshme”, shkruan ai. “Agjencia u bën thirrje qytetarëve të qëndrojnë në kontakt me shërbimet e emergjencave në rast nevoje!”, shton Peleshi. “Është e rëndësishme të merrni masa parandaluese për të mbrojtur veten dhe të tjerët. Grupet e ndjeshme të popullsisë si moshat e treta dhe fëmijët janë më të prekshëm nga temperaturat e larta. Ata kanë nevojë për kujdes dhe mbrojtjes të veçantë”, theksohet më tej në video.



