
Dy shtetas shqiptarë, të cilët janë vënë në kërkim ndërkombëtar nga shteti spanjoll, janë vënë në pranga e më pas ekstraduar drejt Spanjës, pas dy operacioneve policore të koduar “Lugo” dhe “Vilanova”.
Sipas njoftimit zyrtar nga Policia e Shtetit, ekstradimet kanë ndodhur brenda 24 orëve për dy shtetasit, të cilët janë kapur respektivisht nga forcat e rendit të Fierit dhe Vlorës.
Fillimisht, ka qenë shtetasi A.Xh., banues në Bishan të Vlorës, 38 vjeç, ai i cili ka rënë në pranga falë bashkëpunimit të Interpol Tirana me homologët spanjollë.
Ai akuzohet për veprat penale “Trafiku i narkotikëve” dhe “Organizata kriminale”, i kapur nga Policia e Vlorës më 7 maj të këtij viti, në kuadër të operacionit policor të koduar “Lugo”.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi autoritetet gjyqësore spanjolle, me vendimin e datës 15.01.2021, kanë lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar ndaj tij, për veprat penale “Trafiku i narkotikëve” dhe “Organizata kriminale”, parashikuar nga Kodi Penal i Spanjës.
Nga ana tjetër, gjatë ditës së djeshme, u ekstradua gjithashtu drejt Spanjës shtetasi R. T., në kërkim për vepra penale në fushën e narkotikëve dhe kundër shëndetit publik dhe i vënë në pranga nga Policia e Fierit, më 06.05.2022, në kuadër të operacionit policor të koduar “Vilanova”.



