Shkodra është e vetmja bashki që drejtohet nga një parti opozitare, Partia Demokratike e grupit të rithemelimit. Në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit 2021, qyteti votoi kandidatin Bardh Spahia, i cili kërkon një rikonfirmim në detyrën e tij në drejtim të qytetit. Fushata e Spahisë është e thjeshtë dhe takimet e tij me elektoratin të filmuara me kamera janë të rralla.
Por pavarësisht modestisë së fushatës së tij, as bashkia Shkodër nuk i ka shpëtuar tundimit për të hapur tendera në fushën e investimeve publike.
Rikonstruksion rrugës, shkollash, kanalizime dhe pastrim e gjelbërim i qytetit është objekti i shumicës së prokurimeve që ka bërë bashkia, të cilat në disa raste edhe janë promovuar nga kreu i saj.
Në një tjetër rast bashkia e Shkodrës ka hapur një tender për ndërtimin e një strehëze të sistemimit të qenve të rrugës. Procedura është hapur pas datës 13 janar, dhe kandidati e ka promovuar këtë në faqen e tij në rrjete sociale, por është kujdesur që në foto të mos ketë as elektorat dhe as parulla apo thirrje politike.
“Shkëputja e vëmendjes nga prioretet lokale është një grackë që mazhoranca po i bën opozitës sepse ajo ka në dorë dhe fondet”, thotë Agron Haxhimali, drejor i Institutit të Bashkive.
Në total Bashkia Shkodër ka hapur 28 procedura prokurimi gjatë këtij viti për një vlerë prej 3.1 milion euro, ku 1 milion janë në fushën e ndërtimit dhe rikosntruksionit të rrugëve dhe shkollave, ndërsa pjesa tjetër lidhen me shpenzimet për nevojat e zakonshme të kësaj njësie vendore. Shumica e procedurave të prokurimit janë në vlera të vogla, ndërsa projekti i vetëm me financim të madh është ai i ndriçimit të qytetit, por paratë jepen nga qeveria zviceriane.
“Janë qytete që kanë përfituar fodne kur kanë qënë qeveritë e djathta dhe ndëshkohen kur në qeverisje janë partitë e majta, pra kemi një lloj ndëshkimi me fonde që buxheti qëndror ndan për bashkitë që i ka apo nuk i ka të vetat”, thotë Migen Qiraxhi nga “Qëndresa Qytetare”.
Për ekspertët, evidentimi i shkeljeve që mund të bëjnë kandidatët nuk është asnjëherë tërësisht i realizueshëm pasi shumë takime të tyre kur dërgohen në media mund të hiqen pjesët ku bëhet thirrje politike, apo qoftë edhe në postimet në rrjetet sociale.
“Shqipëria ka dështuar në adresimin e çështjes së besueshmërisë së zgjedhjeve. Duhet të ishte opozita që të mbante prozhektorët ndezur dhe të hedhë dritë mbi parregullsitë, porn ë këtë pikë ndryshe nga fushata e parë nuk ka ecur në depozitimin e kallzimeve penale”, shprehet Gerti Shella nga qendra “Infochip”.
Ata kërkojnë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të jetë më rigoroz në penalizimin e shkelësve dhe të ketë një kërkesë më të fortë llogarie në mënyrë që të frenohet tentative për të ndikuar në votën e qytetarëve përmes fondeve publike, një problem i cili me sa duket në Shqipëri është i vështirë të zgjidhet edhe pas 30 vjetësh tranzicion!



